Klubi i Teknikëve

Data e Publikimit 18.11.2018
Nga Keith Prenton

IMe ndihmën e programit të USAID-it, After School Support for Teens (ASSET) nxënësit e Gjimnazit Xhevdet Doda në Prishtinë, bashkë me mësimdhënësit dhe prindërit e tyre, u angazhuan që hapësirën e papërdorur në shkollën e tyre, ta shndrrojnë në një gjendje të përshtatshme për hapësirë krijuese (makerspace). ‘Makerspace’ është një hapësirë pune bashkëpunuese ku nxënësit mund të marrin pjesë praktikisht në projekte kreative që kanë për qëllim zhvillimin e aftësive ndërmarrëse dhe kompetencave për punësim. Programi ASSET ofron një shumëllojshmëri në teknologji dhe materiale të nevojshme, që ua mundëson nxënësve pjesëmarrjen në projekte praktike kreative, që kanë të bëjnë me shkencën, teknologjinë, inxhinierinë, matematikën, artin dhe muzikën. Ata gjejnë zgjidhje, dizajnojnë, përgatitin prodhime, eksplorojnë mënyrat e tyre kreative, si dhe formojnë kompetencat bazë dhe vetëbesimin.

Në mënyrë që të mirëmbajnë teknologjinë në Makerspace, ekspertët e ASSET punuan krahas nxënësve në shkollë që të formojnë dhe trajnojnë Klubin e Teknikëve të përbërë nga nxënësit. Klubet e Teknikëve janë paraqitur së pari herë falë Programit të Arsimit Themelor më 2010-2016. Klubet e Teknologjisë sigurojnë fuqi punëtore, trajnim të duhur dhe eksperiencë për nxënësit, gjersa ua mundësojnë shkollave të shfrytëzojnë teknologjinë moderne më mirë. Pas trajnimit të tyre, në shtator të 2018, nxënësit përpiluan një plan të veprimit për vitin e ardhshëm. Ata tashmë kanë arritur mjaft. Ata kanë dizajnuar logon e klubit dhe kanë hartuar kontratat, rregullat dhe detyrat e klubit. Ata vendosën të bëjnë një betim në të cilin të gjithë nënshkruan. Ai u var në mur si simbol i përkushtimit të tyre.

“Për të dëshmuar përkushtimin ndaj klubit, ne krijuam disa zotime personale të cilat i varëm në mur me nënshkrimet tona në to. Këto zotime tregojnë se ne do të bëjmë më të mirën, do jemi optimistë, respektojmë njëri- tjetrin dhe do të marrim përgjegjësi në klub.

Një detyrë e hershme ishte funksionalizimi i një numri të kompjuterëve të vjetër të cilët iu kishin dhuruar shkollës. Ata përmirësuan drajverët në këto pajisje, riparuan problemet në siystemin operativ dhe identifikuan softuerët e nevojshëm që iu nevojiteshin në ‘makerspace’ para se t’i instalojnë. “Pasi morëm laptopët (një donacion nga një ish-projekt i USAID-it), ne u kujdesëm për programet bazë. Ata ishin të vjetëruar, kështu që ne u deshëm t’i formatizojmë dhe të ri-instalojmë Windows 10.” (Rinor Sadiku)

Plani i veprimit përfshin planifikimin dhe ofrimin e kurseve teknologjike për nxënësit rreth përdorimit të pajisjeve. Klubet janë duke zhvilluar sisteme online për regjistrimin e pjesëmarrësve dhe të drejtën e tyre për t’i përdorur pajisjet. Për t’i përdorur pajisjet, nxënësit duhet të ushtrohen në atë fushë. Anëtari i klubit, Ilirian Thaçi përshkruan disa nga aktivitetet e tyre të ardhshme: “Në pak javë në vijim, ne planifikojmë t’i trajnojmë nxënësit e rinj në përdorimin e pajisjeve. Ne gjithashtu planifikojmë të hapim një uebfaqe për shkollën. Një ide tjetër ishte që të bashkangjisim shenja në dyer, në mënyrë që të jetë më e lehtë për ta gjetur rrugën për të porsaardhurit në shkollë. Unë erdha në këtë shkollë në klasën e 11-të, dhe personalisht, ishte paksa e vështirë për mua që të orientohem.” Emblemat e dyerve janë bërë me prerës laserik në ‘Makerspace’. Iliriani shpjegon se si planifikojnë të bëjnë prodhime të reja të cilat mund t’i shesin. Ata demonstruan një mburojë të cilën e kishin bërë me printer 3D, e cila mbron një iPhone të dëmtuar. Të gjithë nxënësit janë në klasë të 12-të dhe do të diplomojnë në fund të këtij viti. Në mënyrë që të mirëmbajnë klubin, ata kanë bërë thirrje për anëtarë të rinj, nga klasa e 11-të dhe kanë përzgjedhur një grup të cilin do ta trajnojnë për të qenë anëtarë të klubit për të siguruar vazhdimësinë.

Ndër sfidat kryesore ishte moskuptimi i mësimdhënësve rreth teknologjisë moderne dhe përdorimit të saj në shkolla. Ata janë duke planifikuar kurse trajnimi edhe për mësimdhënës në lidhje me përdorimin e pajisjeve në ‘Makerspace’ dhe do t’u ndihmojnë mësuesve kur ata t’i përdorin ato në orët mësimore. Aktivitete tjera të planifikuara janë: - Organizimi i një prezantimi të punës së tyre në një panair shkence; - Pjesëmarrja në një konkurs robotike; dhe - Ndihmë për nxënësit rreth orientimit në karrierë duke hulumtuar programe universitare brenda dhe jashtë Kosovës. Anëtarët e klubit dallohen për nga motivimi dhe shijojnë përgjegjësitë që i sjell anëtarësimi. “Ne jemi vërtet të kënaqur që jemi pjesë e klubit sepse punojmë dhe kryejmë punë. Është një vend ku kënaqemi, argëtohemi dhe mësojmë gjëra të reja.” (Rinesa Rafuna) “Jam shumë e motivuar të punoj këtu. Grupi është zbavitës, dhe ambienti nuk është aq i rreptë si në klasë. Kjo krijon më shumë hapësirë që ne të argëtohemi, andaj, jemi shumë të motivuar të veprojmë.” (Erzë Hoxha)